MBROJE HISTORINË

#mbrojehistorinë

MBROJE HISTORINË

– DEKLARATË –

Në shtetet e krijuara pas shpërbërjes së RSFJ-së, ka pasur një qëndrim të theksuar revizionist ndaj së kaluarës. Revizionizmi historik është një abuzim i historisë, një shtrembërim i qëllimshëm dhe tendencioz i ngjarjeve të së kaluarës.
Kjo nënkupton përshtatjen e së kaluarës me kërkesat politike moderne, izolimin dhe theksimin e dhënave të dëshirueshme dhe fabrikimin e së vërtetës, selektimin e burimeve historike, duke redaktuar gjithçka që nuk i përshtatet ideve politike dhe programeve në pushtet.
Në anën tjetër, ka përparime të dëshirueshme të njohurive ekzistuese, zbulime të burimeve të reja historike dhe interpretime të reja të atyre tashmë të njohura, metodologji dhe paradigma të reja si dhe rishikime dhe rikonteksualizim të vazhdueshëm, të cilat janë komponentë thelbësorë të punës së historianëve.
Çdo vend ka politikën e vet të historisë, por ideologjitë nacionaliste dhe Luftërat Jugosllave i kanë dhënë një shtytje abuzimit të theksuar të historisë në vendet e formuara pas shpërbërjes së RSFJ-së.
Historia është përdorur për përgatitjen psikologjike për luftë si dhe për mirëmbajtjen e politikave të ndryshme të bazuara në shfrytëzimin e pasioneve nacionaliste edhe në periudhën e pasluftës. Historia është abuzuar nga politikanët, media, grupet e interesit dhe madje edhe nga vetë historianët.
Revizionizmi historik synon të ruajë mitet e vjetra dhe të krijojë të reja, të përforcojë stereotipet, kultivojë paragjykime dhe urrejtje ndaj fqinjëve.
“Ne” jemi gjithmonë viktimat, “ata” janë gjithmonë fajtorë. Vetë-viktimizimi është përdorur për të krijuar një vetëdije paranojake mbi historinë e cila viktimën e çliron nga përgjegjësia morale dhe e ushqen me dëshirën për hakmarrje. Vetë-viktimizimi është përdorur për të homogjenizuar një komb, për të mbyllur radhët, për të asgjësuar pluralizmin e për njollosur dhe etiketuar individë apo grupe shoqërore në kolektive imagjinare ‘biologjike’ e ‘shpirtërore’.
Të luash viktimën na lë neve të mbërthyer në të kaluarën dhe parandalon progresin.
Të gjitha vendet e pas-RSFJ-së kanë manipuluar historinë e Luftës së Dytë Botërore. Revizionizmi historik ka hequr faktet e verfikuara dhe i ka zëvendësuar ato me pohime që nuk kanë asnjë bazë në burimet historike. Kjo gjë ka fshier koordinatat morale nga shoqëritë tona, bashkë me dallimin midis fashizmit dhe antifashizmit, duke krijuar kështu një rrezik të përsëritjes së mizorive të kaluara.
Sot, historia është shëndërruar në një platformë për të vazhduar Luftërat Jugosllave me mënyra të tjera. Këto luftëra janë në rrugën e tyre për t’u bërë subjekt i manipulimeve politike ashtu si edhe Lufta e Dytë Botërore. Përvjetorët dhe jubiletë përdoren për mobilizim nacionalist dhe konsolidimin e qeverive autoritare. Nuk ka dhembshuri dhe empati për viktimat ‘e tyre’. Gati tridhjetë vjet kanë kaluar, por asnjëra prej shteteve ndërluftuese nuk është përpjekur as të marrë përgjegjësi për rolin që ka pasur në këto luftëra. Sot historia është burim aktiv i armiqësive ende të pashuara që po shkatërrojnë shoqëritë tona.

Prandaj, ne duhet të ngritemi në mbrojtje të historisë e të bëjmë gjithçka brenda fuqisë sonë për të ndaluar abuzimin e saj.

Ne, të nënshkruarit, qëndrojmë në parimet e mëposhtme

1. Historia është shkencë.
Historia nuk është një rrëfim i një opinioni arbitrar. Ajo duhet të bazohet në hulumtim historik, verifikim dhe mbledhje të burimeve historike duke konstituuar fakte të sakta dhe të verifikueshme bashkë me analizën e sintezën e tyre.

2. Historia është dinamike.
Si çdo shkencë tjetër, historia vazhdon të përvetësojë njohuri të reja, zbulojë burime të reja historike të cilat vendosen bashkë dhe interpretohen. Rezultati i hulumtimit të ri është rishikim historik. Përkundrazi, revizionizmi historik i manipulon faktet historike për të arritur një qëllim politik.

3. Historia është një disiplinë e të menduarit kritik.
Historia nuk është një diçka tabu, qëllimi i së cilës është forcimi i ndjenjave nacionaliste apo politikave identitare e as për të përhapur stereotipe dhe paragjykime. Historia duhet të na mësojë se si të verifikojmë informacionin dhe si të njohim manipulimet dhe abuzimet e së kaluarës.

4. Historia përdor qasje prej shumë perspektivash.
Faktet historike krijohen përmes metodave shkencore por mund të interpretohen ndryshe
sepse interpretimi varet nga pikëpamjet. Kjo nuk do të thotë që e kaluara mund të relativizohet. Kjo nënkupton që interpretimi i së kaluarës është një temë e debatueshme ku të dhënat përkatëse dhe mendimet e kundërta duhet të konsiderohen pa fshehur fakte që nuk i përshtaten narrativës së dëshiruar politike.

5. Historia është gjithëpërfshirëse.
Ne nuk duhet të konsiderojmë e mbështetemi vetëm në atë që na pëlqen prej së kaluarës dhe të hedhim poshtë atë që nuk i përshtatet nevojave tona aktuale politike! Nuk duhet të ketë një përzgjedhje politikisht apo ideologjikisht të kushtëzuar, apo një periudhë historike të përshtatshme e të papërshtatshme, apo një shtet, komb, grup shoqëror, ide, lëvizje…

6. Historia është transnacionale.
Historia nuk duhet të kufizohet nga kufijtë etnikë. Ne nuk mund të merremi ekskluzivisht me veten sepse do të humbasim kontaktin me realitetin. E kaluara është e ndërthurrur, e ndërlidhur dhe e ndërvarur. Kombet, shtetet dhe grupet shoqërore lindin, ekzistojnë dhe zhvillohen përmes kontakteve të ndërsjella. Vetëm brenda këtij kompleksiteti dhe ndërvarësie ne mund të kuptojmë të tashmen dhe të kaluarën.

7. Historia është kontekstuale.
E kaluara, si edhe e tashmja, nuk mund të kuptohet në izolim, e nxjerrë jashtë kontekstit dhe e reduktuar në një çështje të vetme. Realiteti i së kaluarës ishte ndikuar nga shumë faktorë, kështu që kufizimi i tij në një kornizë të ngushtë është manipulim i historisë dhe pengesë për historianët që të kuptojnë të kaluarën dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

8. Historia është e arsyeshme.
Historia nuk është një mit, një dogmë, një fe, një ideologji, një emocion. Njeriu nuk beson në të, nuk e gjykon, nuk e akuzon dhe as nuk mund të brohorasë për të. Historia studion të kaluarën që ta kuptojë dhe shpjegojë atë. Ajo na mëson se si të kuptojmë kompleksitetin e së kaluarës për të qenë në gjendje të përballemi me të tashmen dhe vlerësojmë të ardhmen në mënyrë racionale.

9. Historia është e lirë.
Si çdo disiplinë tjetër shkencore, historia mund të përparojë vetëm nëse hulumtimi është i lirë nga çfarëdo presioni politik, ideologjik, fetar ose ekonomik. Nuk ka historianë të përshtatshëm dhe të papërshtatshëm, ‘patriotë’ ose ‘tradhtarë’!

10. Historia është e përgjegjshme.
E tashmja është e ndërtuar mbi perceptimet e së kaluarës. E tashmja është në rrezik
nëse e kaluara është abuzuar, nëse mbahet e fshehur, nëse diçka që nuk ka ndodhur i shtohet asaj, dhe nëse ajo që ndodhi është ‘harruar’ ose relativizuar. Kjo krijon një vizion të falsifikuar të së tashmes, duke na bërë të paaftë për të perceptuar dhe si pasojë për zgjidhjen e çështjeve që ajo i shtron. Historianët duhet të jenë përgjegjës në rrafshin shoqëror.
Ne, të nënshkruarit, prandaj kërkojmë:

1. Që historianët t’i përmbahen standardeve të kontrollit të fakteve dhe të luftojnë për të aplikuar metodat shkencore historiografike, veçanërisht kur kemi të bëjmë me temat e ndjeshme dhe kontraverse rreth së kaluarës;

2. Që elitat politike të ndjekin politikën e përgjegjshme të historisë, të ndalojnë abuzimin me të kaluarën duke u mbështetur në historianë, intelektualë dhe grupe të interesit që ushqejnë pasionet nacionaliste dhe shkaktojnë përçarje mes nesh që të fuqizojnë pozicionet e tyre politike;

3. Që parlamentet vendore dhe Europiane të ndalojnë kalimin e ligjeve, rezolutave, preambulave dhe akteve të tjera që imponojnë ‘të vërteta historike’ ose interpretime të konvenueshme të së kaluarës. Duke vepruar kështu ata përfshihen direkt në përshtatjen e historisë dhe manipulimin e rrezikshëm të së kaluarës;

4. Që gjykatat e drejtësisë, kur zbatojnë ligje, të kujdesen për të vendosur fakte historike dhe të mos kontribuojnë në fuqizimin e pseudo-historisë dhe rehabilitimin e bashkëpunëtorëve të dëshmuar të Luftës së Dytë Botërore dhe atyre që janë përgjegjës për krimet e luftës në të kaluarën e afërt;

5. Që ministritë e shkencave të inkurajojnë dhe mbështesin financiarisht projekte që do të hulumtojnë lirshëm dhe në mënyrë kritike të gjitha temat me interes shkencor, madje edhe ato që kanë të bëjnë me aspekte të errëta dhe të diskutueshme të historisë kombëtare, dhe të mbështesin financiarisht projekte të përbashkëta shkencore në vendet fqinje për të ndihmuar në zhvillimin e një qasjeje prej shumë perspektivash ndaj ngjarjeve të së kaluarës;

6. Që ministritë e arsimit të ndalojnë kthimin e historisë në një temë, qëllimi i vetëm i së cilës është formimi i identitetit kombëtar dhe përhapja e urrejtjes. Historia duhet të jetë një temë udhëheqëse në të menduarit kritik, e bazuar ekskluzivisht në qasjet moderne të
edukimit të historisë në të cilën nuk ka tabu. Ministritë duhet të mbështesin shkëmbimin e profesorëve universitarë dhe mësuesve të shkollave;

7. Që ministritë e kulturës dhe të gjitha autoritetet qeveritare përgjegjës për politikën e kujtesës të braktisin praktikën e ngritjen e monumenteve dhe hapjen e muzeve të rinj kushtuar individëve ose organizatave që morën pjesë në përhapjen e urrejtjes dhe kryerjen e krimeve. Një politikë e tillë e kujtesës vetëm përhap dhe nxit urrejtje, tensione dhe homogjenizime;

8. Që mediat të jenë përgjegjës ndaj së kaluarës, kritikë ndaj parahistorianëve dhe historianëve që promovojnë intolerancën dhe shtrembërojnë të kaluarën, që të përmbahen nga botimi i informacionit të pa verifikuar e të ndalojnë fshehjen e fakteve historike dhe të ndalojnë përdorimin e së kaluarës për të ndezur politikat antagoniste;

9. Që qeveritë lokale të ndalojnë emërimin e shkollave, rrugëve, sallave të studentëve dhe ndërtesave të tjera publike sipas individëve që kanë bërë thirrje për urrejtje etnike dhe antisemitizëm dhe të cilët ishin përgjegjës për krimet e luftës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë luftërave të fundit;

10. Që mësuesit e historisë të vazhdojnë me metodat e reja të mësimdhënies së historisë, të praktikojnë kompetencë dhe të menduarit kritik me studentët, të inkurajojnë studentët që të punojnë me burime historike dhe të sfidojnë çdo pohim rreth së kaluarës. Mungesa e të menduarit kritik në orët e historisë forcojnë vetëdijen autoritare dhe ekskluzivitetin tek të rinjtë.